E takuam Elonën në një nga kafenetë e kryeqytetit, dhe sapo ajo u duk pranë derës, të gjithë kthyen kokën. Stilistja nga Franca ishte e vetmja femër që preku finalen e këtij edicioni të “Big Brother”, dhe një nga banoret më të vlerësuara sivjet. E vlerësojnë me të drejtë, sepse gjatë takimit me Elonën, zbuluam një vajzë të re të edukuar, të qetë, ëndërrimtare, por dhe shumë realiste. Na tregoi përjetimet e saj gjatë qëndrimit në shtëpinë e famshme, përjetimet pas daljes dhe emocionet e finales. Elona ndau me ne edhe mendimet mbi fituesin e banorë të tjerë, dhe marrëdhëniet me ta, tani që loja ka përfunduar.
Elona, si është një ditë e jotja tani pas përfundimit të “Big Brother”?
Me takime, me njerëz dhe pushim. Po relaksohem disi këto ditë, po edhe pushimet për një kohë të gjatë nuk më pëlqejnë. Unë jam njeri shumë aktiv dhe më pëlqen të punoj e të jem në lëvizje.
Çfarë ore zgjohesh në mëngjes?
Sot për shembull jam zgjuar që në tetë. Unë fle pak dhe nuk rri dot pa bërë asgjë. Edhe kur fle në orët e vona të natës, sërish zgjohem herët.
Do vazhdosh të qëndrosh në Tiranë, apo do kthehesh në Francë?
Për pak ditë më duhet të shkoj në Francë, sepse kam për të rregulluar dokumentacionin, dhe sërish do të vij në Tiranë.
Çfarë planesh ke; me se do merresh këtu?
Dëshira ime më e madhe, sa i takon anës profesionale është të punoj me veshjet. Do kisha dëshirë të jepja kontributin tim në kurimin e imazhit dhe veshjeve në një televizion. Ky është edhe qëllimi kryesor pse unë vendosa të kthehem në Shqipëri pas kaq kohësh dhe shtysa ime për t’u bërë pjesë e “Big Brother”. Mendoj që në vendim tim, mund të arrij të bëj punën që njëherësh është edhe pasioni im. Kam besim se me këmbëngulje e përkushtim, Shqipëria do ma japë këtë mundësi, që ndoshta në Francë nuk do mundem ta kem. Kam disa plane që uroj të më realizohen së shpejti.
Mendon se ia vlejti të bëheshe pjesë e një reality-show?
Sa i takon anës së sakrificës, mendoj që nuk ia vlen. Por nëse e shoh në anë të tjera, besoj se kjo eksperiencë të jep shumë. Të mëson, të forcon dhe të ndihmon që “të njohurit”, apo famën e momentit ta përdorësh për të ecur përpara profesionalisht. Uroj të jetë kështu.
Çfarë është gjëja më e bukur që të ka dhënë “Big Brother”?
Nga ajo shtëpi kam marrë me vete kujtime shumë të bukura dhe kam bërë miq. Po ashtu vlerësimi që më bëjnë njerëz që nuk i njoh fare, më kënaq vërtet shumë.
Është e vërtetë që miqësia me Riken është ftohur?
(Qesh) Jo, aspak. Nuk e di se nga kanë dalë këto fjalë. Me Riken jemi mikesha njësoj si brenda shtëpisë, vetëm se tani jemi në lëvizje dhe jemi takuar më rrallë. Ajo këto ditë është në Itali.
Po me Ilirin apo Anaidin, je takuar?
Jam takuar. Me Ilirin dhe të dashurën e tij, jemi ulur e kemi biseduar. Mosmarrëveshjet brenda lojës kanë mbetur pas. Edhe me Anaidin jam takuar kur jemi mbledhur një grup i madh banorësh. Kur je brenda shtëpisë së “Big Brother” je i detyruar të komunikosh e ta kalosh kohën me të gjithë. Tani që kam dalë, kam mundësinë të zgjedh se me kë do të shoqërohem (qesh).
U mërzite që fitoi Anaidi?
(qesh) U mërzita që nuk fitova unë. Më vjen keq që publiku vlerësoi një njeri që bënte hile. Më vjen keq që nuk u vlerësua drejtësia dhe pastërtia. Modestisht e them, që, duke parë rrugëtimin tim brenda asaj shtëpie, meritoja të fitoja, në emër të të gjithë atyre njerëzve që vlerësojnë të drejtën. Nuk po lavdërohem e as nuk më pëlqen vetja, po jam realiste. Shumëkush mund të mendojë që të futesh në shtëpinë e “Big Brother” është njësoj sikur të bësh tre muaj pushime, por unë mund t’ju them që nuk është kështu. Për një vajzë të re që është mësuar me punë, nuk është e lehtë të rrish e izoluar pa bërë asgjë, dhe për më tepër duke humbur kohë e para. Veç kësaj, “Big Brother” nuk është lojë, por luftë. Aty je e sulmuar gjithë kohën, edhe në gjëra që të dhembin e që ndoshta nuk duron dot. Unë vendosa të mos shkel mbi veten dhe të sillem siç jam, pra nuk sulmova. Gjatë tre muajve qëndrova në pritje që, kur të më sulmonin, të mbrohesha. Nuk e ëndërrova fitoren, por e dëshirova shumë si vlerësim për mundin e bërë. Po edhe kështu, s’ka problem (qesh).
Të ndalojnë njerëzit në rrugë? Çfarë të thonë?
Më flasin me shumë respekt, dhe kjo është një nga gjërat më të bukura që po më ndodh këto kohë. Më kanë ndjekur dhe më vlerësojnë. Është shumë bukur dhe s’e prisja.
Po djemtë, të ngacmojnë?
Po, më flasin dhe më bën përshtypje që janë të kujdesshëm e më drejtohen me shumë respekt e jo në mënyrë vulgare (qesh).
Është dashuruar ndonjëri me ty, duke të parë në televizion?
(qesh) Dashuruar jo, po ka që më janë afruar dhe më kanë shprehur pëlqimin e tyre.
Ti vazhdon të jesh beqare?
Po, vazhdoj të jem beqare (qesh).
Të pëlqejnë djemtë shqiptarë?
Më pëlqejnë dhe dua të lidhem me një shqiptar. Edhe kur jetoja në Francë dhe njihja djemtë atje, gjithmonë më dukej sikur i mungonte diçka që e kanë vetëm meshkujt shqiptarë.
Si të duket historia e dashurisë midis Anaidit dhe Joanës?
(qesh) Për mendimin tim nuk mund të quhet histori dashurie. Ata janë të dy hipokritë në maksimum. Të dy e kanë përdorur njëri-tjetrin. Nuk po e kuptoj pse po akuzohet Anaidi që ka bërë gabim dhe Joana na doli viktimë. Joana e kuptoi që në fillim që Anaidi ishte personazh i fortë dhe u kap pas tij. Nga ana tjetër, ai, duke parë Joanën si një personazh gjoja i sulmuar nga të gjithë dhe mund të kishte marrë vëmendjen e publikut, i dilte në mbrojtje. Të dy kishin si qëllim të përfitonin nga njëri-tjetri dhe në asnjë moment nuk kam parë ndjenjë midis tyre. Pastaj, një femër që nuk e ka problem të kryejë marrëdhënie seksuale përpara miliona njerëzve që e shohin, s’ka si të ketë drejtësi e pastërti në një lojë.
Klikoni këtu për të parë të tjera foto të Elonës:
↓↓↓↓↓↓↓↓↓↓↓↓
0 comments:
Post a Comment