Home » » Berisha në “2XL”: Ha vetëm nga dora e Lirisë, ky është çelësi i energjisë!

Berisha në “2XL”: Ha vetëm nga dora e Lirisë, ky është çelësi i energjisë!


Berisha shkoi më në fund në “Apartamentin 2XL” dhe sikundër ishte paralajmëruar, bëri një ‘show’ të paparë. Mbrëmja e djeshme ka fiksuar përpara ekranit të “Vizion Plus” me mijëra njerëz, të cilët ndoqën me kërshëri puntatën e fundit të “2XL”- së për këtë sezon. Gjatë spektaklit kryeministri tregoi mjaft histori interesante nga jeta e tij. 

Kështu ai rrëfeu çaste nga rinia, mes të cilave tregoi edhe për një udhëtim në Dajt, në mes të dëborës që kishte arritur gjysmë metri, ku pas tri orësh ecje e kishte të vështirë kthimin pas. Kreu i ekzekutivit ndau me publikun edhe emocionet e puthjes së parë, që sipas tij, ka qenë e shenjtë. Ai tregoi sakaq se seks-simboli i kohës së tij ka qenë Brigitte Bardot, ndërsa këngëtarja që dëgjonte më shumë ishte Édith Piaf… Lideri i demokratëve tha ndër të tjera se ushqehet vetëm nga dora e gruas së vet dhe ky është çelësi i energjisë së tij. Berisha rrëfehu gjithashtu se nga të gjithë ata që ka mposhtur, për Ramën i ka ardhur më shumë keq dhe sipas tij, Rama matet me pëllëmbë, ndërsa ai vetë me pasion. Berisha deklaroi se do ta ndryshojë profetësinë e “2XL”-së, pasi deri tani të gjithë ata që kanë shkuar aty kanë humbur, por sipas kryeministrit jo më, sepse ai do të fitojë. 

Në fund të spektaklit kreu i mazhorancës tha se: “Edhe pas 30 vjetësh këtu do të më keni” dhe u shpërndau dhurata artistëve pjesëmarrës. Kështu, producentit Turjan Huska i dhuroi një urë të gdhendur me logon e “Apartamentit 2XL”, duke qenë se qeveria e tij ka ndërtuar dhe po vazhdon të ndërtojë rrugë. 

Julit i dhuroi një bluzë të kombëtares me numrin 10, në të cilën ishte stampuar emri e mbiemri i aktorit shkodran, Jul Deda dhe emri i kryeministrit, Sali Berisha. Aktorit tjetër, Albano Bogdo, kryetari i maxhorancës i dhuroi një lahutë, që të mësojë të këndojë edhe këngë nga veriu, ndërsa Gentian Zenelajt një suvenir që simbolizon Shëngjinin me një peshkatar që kishte fytyrën e tij të gdhendur. Lisës kaçurrelse kryeministri i dhuroi një karficë dhe një buqetë me lule, ndërsa shpërndau edhe dhurata të tjera simbolike për të gjithë aktorët e “2XL”, apartamentit më të famshëm në Shqipëri… 

0 comments:

Post a Comment