Home » » Ja çfarë do të përmbajë testi i Matematikës për Maturën Shtetërore!

Ja çfarë do të përmbajë testi i Matematikës për Maturën Shtetërore!


Agjencia Kombëtare e  Provimeve po përgatit  testet për provimin e  Matematikës i cili do  të mbahet në datën 14 qershor.  Kjo fundjavë do të “ngujojë” hartuesit e tezave për të përzgjedhur  mëngjesin e 14 qershorit testin  final që do të jepet për provim.  Maturantët tashmë po u nënshtrohen konsultimeve të shumta për  të dalë sa më mirë në provim. Pas  udhëzimeve nga MASH, mësuesit  e shkollës së mesme kanë filluar konsultimet, duke u shpjeguar  maturantëve kapitujt, temat kryesore dhe pyetjet që mund të jenë  në tezën finale të provimit. Sipas  përcaktimeve të bëra nga hartuesit e maturës, edhe provimi i  matematikës do të jetë i diferencuar në varësi të llojit të shkollës  së mesme që mund të ketë kryer  maturanti. Njësoj si në provimin e  Letërsisë, edhe për Matematikën  do të jenë disa lloje testesh, të  cilat do të diferencohen ndërmjet tyre sipas llojit të shkollë së  mesme, ku përfshihen: gjimnazi  2013, maturat artistike, koreografike, sportive me kohë të shkurtuar, gjimnazi me drejtim natyror  e shoqëror, pedagogjikja, seksioni  dygjuhësh, si dhe shkollat e tjera  profesionale. Kështu, nxënësit që  kanë mbaruar shkollat e mesme  profesionale, qoftë të natyrave artistike apo sportive, nuk do të kenë  të njëjtën shkallë vështirësie të  pyetjeve si ata që kanë mbaruar  shkollën e mesme te profilizuar me  drejtim natyror apo shoqëror etj.  Duke iu referuar këtyre përcaktimeve maturantët duhet të jenë të  kujdesshëm në përgatitjet finale  që duhet të bëjnë për këtë provim,  në mënyrë që të mos rrezikojnë  humbjen e pikëve gjatë plotësimit  të testit. Në programet orientuese  të matematikës, është përcaktuar  rëndësia që do të ketë secila nga  7 linjat bazë të temave që maturantët duhet të përvetësojnë për  këtë testim. Funksioni, gjeometria, njehsimi diferencial e integral, si dhe statistika e probabiliteti do të zënë dhe pjesën më të  madhe të pyetjeve që do të ketë  testi i matematikës. Në mënyrë  më të detajuar gjeometria, funksioni e njehsimi diferencial do të  kenë 60 për qind të pyetjeve në  provimin e matematikës. Kërkesat  e provimeve do të jenë dy llojesh,  me zgjedhje të shumëfishtë dhe me  shtjellim të argumentuar. Zgjidhja e  problemave do të zërë një pjesë të  rëndësishme të pyetjeve që duhet  të plotësojë nxënësi. Testi do të  përmbajë pyetje për të tre nivelet  e vështirësisë në raportet 40 për  qind të pyetjeve në nivelin nën mesatar, 40 për qind për nivelin mestar  dhe 20 për qind për nxënësit me  rezultatet të larta. Pas provimit  të Matematikës, maturantëve u  mbeten vetëm provimet me zgjedhje, të cilave do t’u nënshtrohen  më 30 qershor. Në këtë mënyrë  ata mbyllin një cikël të rëndësishëm në jetën e tyre, për të nisur më pas garën universitare.  

0 comments:

Post a Comment